Vendosni fjalën kyçe....

Rama debat me gazetaren e huaj: Më sfidoni me fakte, jo me atë që keni dëgjuar në rrugë


Kryeministri Edi Rama u përfshi në një debat me një gazetare të huaj gjatë konferencës me përfaqësues të mediave nga vendet e Bashkimit Europian, pasi ajo tentoi të formulonte pyetjen e saj duke iu referuar bisedave që kishte zhvilluar me qytetarë në terren.

Teksa gazetarja nisi të shpjegonte kontekstin e pyetjes së saj, duke thënë se kishte folur me disa njerëz në rrugë, Rama e ndërpreu menjëherë.

“Doja të pyesja sepse dje kam pyetur disa njerëz në rrugë…”, tha gazetarja.

Kryeministri reagoi duke theksuar se nuk mund të përgjigjej mbi bazën e perceptimeve apo komenteve të mbledhura në rrugë, por vetëm mbi fakte konkrete.

“Po flisni me mua, nuk është me interes për mua çfarë keni dëgjuar në rrugë. Po më pyesni mua. Unë nuk jam në rrugë, unë nuk jam dikush që nuk mban përgjegjësi kur flet sepse përfaqësoj këtë vend, njerëzit që më kanë zgjedhur të jem këtu,” deklaroi Rama.

Më tej, kreu i qeverisë kërkoi që pyetjet të mbështeteshin në prova dhe jo në perceptime të përgjithshme.

“Nuk mund të sfidohem me çfarë keni dëgjuar në rrugë. A keni fakte të vërtetoni se po them diçka jo të drejtë? Më tregoni, më sfidoni!” u shpreh ai.

Shkëmbimi i replikave ndodhi gjatë sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve me gazetarët europianë, ku një nga temat kryesore të diskutimit ishte situata e krijuar pas protestave kundër projektit të debatueshëm në Zvërnec.