Vendosni fjalën kyçe....

“Qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme” – Mijëra qytetarë mbushin bulevardin


Mijëra qytetarë janë mbledhur para kryeministrisë në ditën e dhjetë të protestës kundër qeverisë Rama dhe resortit të Zvërnecit. Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, qeverit tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Një banor nga Kurdaria e Matit akuzoi qeverinë se i ka lënë krejt në harresë fshatrat e vendit ndërsa akuzoi kryeministrin Rama si më të korruptuarin në historinë e vendit.

“Bashkëatdhetarë e keni mbushr këtë shesh me shpresë. Nga Londra në Nju Jork, nga Viena në Toronto, nga Roma në Uashington, sheshet e botës janë mbushur me shqiptarë që protestojnë në solidaritet me ju. Qeveria më e korruptuar që shqiptarët kanë parë, sot pretendon se ka 800,000 njerëz që e kanë votuar. Shqiptarët janë mbi 4 milionë dhe në 30 vitet e fundit, 1.5 milionë shqiptarë janë larguar nga vendi. Ambienti ekonomik është i pabanueshëm për një vend europian. Protesta juaj që nisi për shkak të dhunës mbi njerëz autoktonë në Rrjoll, Zvërnec ishte pika e mbushjes. Dua të sjell zërin nga zona e Matit, që nuk dëgjohen as në media e askund. Kanë 40 vjet pa rrugë e ujë të pijshëm, banorëve të Kurdarisë po u merret uji për ta çuar atë në hidrocentralet e kësaj qeverie të korruptuar. Sa të këqija i kanë ardhur këtij vendi nga ky kryeministër. Më në fund ka në dorë t’i bëjë një të mirë shqiptarëve e të japë dorëheqjen.” – tha Arbër Lleshi.

Ish-komandanti e Flotës Detare, Artur Meçollari, foli sot në protestën e 10-të që u mbajt në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec.

Meçollari tha se përveç kundërshtisë ndaj investimit në Zvërnec, qytetaët shqiptarë kanë shumë arsye të tjera për të protestuar sot.

“Kjo protestë është momenti historik, por po ndryshojmë mënyrën e të vepruarit, sepse po kuptojmë se një shtet të së drejtës, ligjor e të barabartë, e duam të gjithë. Zvërneci ishte pika e ujit që mbushi gotën. Por Edi Rama kërkoi ta devijonte debatin, duke thënë se s’ka projekt. Dua t’ju kujtoj aeroportin e Kukësit. Asnjë avion nuk ulet dhe nuk ngrihet, ndërsa koncesioneri merr çdo muaj paratë nga shteti shqiptar për pasagjerët e munguar. Porti i Durrësit është gjithashtu një krim shtetëror. Është porti i vetëm tregtar në Shqipëri që mban lidhjet rajonale dhe tragetare, por Edi Rama tentoi ta kthente në një port turistik. Mund të shkojmë në Palasë dhe të shohim çfarë ka ndodhur aty, si është tjetërsuar mjedisi. Mund të shkojmë në Limion, që nga bazë detare u projektua për resort për oligarkët. Kemi një kryeministër që është kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe të aleancës.”- tha Meçollari.