
Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një 41-vjeçar, i dyshuar për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të Eglant Koçit, 34-vjeçarit i cili rezulton i zhdukur që prej datës 4 qershor.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet nisën pas kallëzimit të familjarëve më 5 qershor për humbjen e kontakteve me 34-vjeçarin. Nga veprimet intensive hetimore dhe operacionale është identifikuar shtetasi Armand Shaka, 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng Koçin.
Policia bën me dije se është gjetur motomjeti i 34-vjeçarit, si dhe është identifikuar dhe kontrolluar ambienti ku ai dyshohet se ka hyrë për herë të fundit. Sipas hetuesve, nga ky ambient ka dalë vetëm autori i dyshuar, i cili mendohet se mund ta ketë transportuar më pas 34-vjeçarin me automjet.
Megjithëse janë kryer kontrolle të imtësishme në ambientin ku dyshohet se mbahej peng Koçi, si dhe në zona të tjera, deri më tani nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka lëvizur motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar Koçi është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të këtij hetimi është arrestuar në flagrancë edhe një 25-vjeçar me inicialet E.Z., i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin.
Policia e Shtetit njofton se kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit vijojnë intensivisht, ndërsa po punohet edhe për lokalizimin dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim. Për shkak të hetimeve në zhvillim, autoritetet nuk kanë bërë publike detaje të tjera mbi çështjen.