Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në një takim të partive popullore europiane në Sarajevë se protestat që po zhvillohen në Shqipëri janë një lëvizje e pandalshme, duke theksuar se ato nuk janë organizuar nga Partia Demokratike, por se opozita i mbështet.
“Lëvizja është e pandalshme. Ju them këtë: nuk është vetëm një lëvizje e partisë sime, por është e pandalshme”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij.
Më vonë, në një deklaratë për mediat shqiptare, ai sqaroi qëndrimin e tij duke theksuar se protestat janë një nismë qytetare.
“Garantova se protesta është e pandalshme. Theksova se kjo nuk është një vepër e Partisë Demokratike, por Partia Demokratike e mbështet atë”, tha Berisha.
Lideri i opozitës u shpreh se protestuesit po kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe po reagojnë ndaj mënyrës se si, sipas tij, qeveria po i trajton shqetësimet e qytetarëve.
“Protestuesit, rinia dhe qytetarët shqiptarë kërkojnë për të gjitha motivet largimin, dorëheqjen e Edi Ramës dhe se ai po trajton protestën në një mënyrë përçmuese, kërcënuese dhe të padenjë”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se ka kërkuar mbështetjen e partive të djathta europiane për një zgjidhje politike që, sipas tij, do të kalonte përmes krijimit të një qeverie kujdestare.
“Është me rëndësi themelore që kjo të merret seriozisht dhe të gjendet një zgjidhje paqësore, me një qeveri kujdestare që ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha kreu i PD-së.
Duke komentuar debatin për projektin e investimit në Zvërnec, Berisha u shpreh se çdo zhvillim në atë zonë duhet të respektojë legjislacionin mjedisor dhe standardet europiane.
“Në zonën e Zvërnecit, që është një lagunë, duhet respektuar ligji, ‘Natura 2000’ dhe direktivat e Bashkimit Europian për habitatet dhe shpendët”, deklaroi ai.
