Vendosni fjalën kyçe....

“Arsimi profesional ishte i degraduar”- Rama: Sot, 63% e atyre që i përfundojnë këto shkolla nisin punë


Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, ku u diskutuan rezultatet e reformës në arsimin dhe formimin profesional.

Sipas Ramës, numri i nxënësve që zgjedhin arsimin profesional është dyfishuar, nga më pak se 10% në fillim të reformës në 20% sot. Ai theksoi se synimi është që një në tre nxënës të ndjekë këtë formë arsimimi.

Kreu i qeverisë nënvizoi gjithashtu se 63% e të rinjve që përfundojnë arsimin profesional arrijnë të punësohen, duke e cilësuar këtë si një tregues të suksesit të reformës në këtë sektor.

“Është një ditë e rëndësishme për të folur për çfarë kemi bërë, por mbi të gjitha për çfarë mund të bëjmë në rrugëtimin strategjik për punësimin. 3500 maturantë kanë sot provime dhe dua t’i uroj të gjithë atyre sukses. Është një ditë kur bilanci është goxha domethënës dhe është shumë inkurajues.

Kur e kemi nisur këtë rrugë, kemi pasur një sistem të arsimit profesional tërësisht të degraduar dhe plotësisht të padobishëm për të rejat dhe të rinjtë që shkonin në shkollat e arsimit profesional, thjesht dhe vetëm për të mos mbetur pa asnjë mundësi tjetër, por nuk gjenin aty asnjë kusht për të zhvilluar talentin.

Gjenin vetëm disa mësues, që sado të përkushtuar, e kishin të pamundur të bënin mësim tërheqës, pasi nuk kishte kushte minimale të infrastrukturës.

Sot, situata është krejt ndryshe. Nëse në fillim të këtij rrugëtimi, nxënësit që shkonin në dyert e arsimit profesional ishin më pak se 10%, sot janë 20%.

Kjo është një fazë, por jo mbërritja. Synimi ynë është që të kemi një në tre nxënës në arsimin profesional. Sot mund të flasim për një kapërcim të një paragjykimi për arsimin profesional.

Sot jemi në kushtet kur arsimi profesional është një zgjedhje. Pikërisht se funksionon, ne kemi një shifër që flet jo vetëm për këtë ndryshim, por edhe inkurajon të tjerët. 63% e atyre që përfundojnë arsimin profesional punësohen”, u shpreh Rama.