
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Kamëz, ku një i ri ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, rreth orës 11:25 është marrë informacioni se shtetasi Ardian Baloshi, rreth 27 vjeç, është dërguar në spital pa shenja jete. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe është ngritur grupi hetimor.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dervish Luzha”, ku i riu është qëlluar me armë zjarri. Sipas policisë, dyshohet se krimi ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.
Si autor i dyshuar i ngjarjes është identifikuar shtetasi Sadik Llanaj, rreth 39 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.
Policia bën me dije se në të gjitha akset kryesore janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon puna për kapjen e tij. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.