
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, duke vlerësuar njëkohësisht mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Në një reagim në rrjetet sociale, Begaj ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për një proces, sipas tij, të qetë, të rregullt dhe demokratik, që dëshmon forcën e institucioneve dhe kulturën demokratike të vendit.
“Urime Albin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Presidenti Begaj.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e një faze bashkëpunimi mes forcave politike në Kosovë, duke nënvizuar nevojën për dialog dhe kompromis institucional në funksion të stabilitetit dhe zhvillimit të mëtejshëm të vendit.
“Në këtë fazë, është me rëndësi që të gjitha forcat politike të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional, në funksion të stabilitetit, zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe përmbushjes së aspiratave të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai.
Presidenti Begaj ka ritheksuar edhe mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në proceset e saj euroatlantike, duke deklaruar se kjo mbështetje do të vijojë në çdo hap të rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian dhe strukturave euroatlantike.
“Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik dhe europian”, ka shtuar kreu i shtetit.