Vendosni fjalën kyçe....

Sot dita e nëntë e protestës në Tiranë, qytetarët rikthehen në bulevard në orën 18:00



Tirana pritet të jetë sërish sot qendra e protestave qytetare, ndërsa në orën 18:00 është paralajmëruar zhvillimi i protestës së nëntë radhazi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Prej më shumë se një jave, mijëra qytetarë janë mbledhur çdo mbrëmje në kryeqytet për të shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë dhe disa projekteve të debatueshme, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në protestat e deritanishme, pjesëmarrësit kanë marshuar nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, duke mbajtur pankarta dhe duke artikuluar kërkesa për anulimin e projekteve të kundërshtuara, përfshirë atë të Zvërnecit, si dhe për ndryshime në qeverisjen e vendit.

Pjesë e tubimeve kanë qenë qytetarë të grupmoshave të ndryshme, të rinj, familjarë, pensionistë dhe aktivistë, të cilët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Rama dorëhiqu”, “Atdheu nuk është në shitje” dhe “Shqipëria e Re” kanë qenë ndër sloganet dhe pankartat më të pranishme gjatë protestave të zhvilluara në ditët e fundit.

Organizatorët kanë bërë të ditur se lëvizja qytetare do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke e konsideruar protestën si një reagim ndaj pakënaqësive të akumuluara në shoqëri.