Vendosni fjalën kyçe....

“Rama po përgatit skenar provokimi në protestë”, Këlliçi: Flamujt izraelitë janë vendosur për të baltosur qytetarët


Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka publikuar një video në rrjetet sociale ku hedh akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se po ndërmerren veprime për të dëmtuar protestën qytetare të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas Këlliçit, vendosja e flamujve të Izraelit në zonën e protestës nuk është rastësore, por pjesë e një skenari të qëllimshëm për të krijuar provokime dhe për të diskredituar tubimin.

“Edi Rama po bën gjithçka për ta dëmtuar protestën qytetare dhe është gati të vërë në jetë edhe skenarin më djallëzor të mundshëm”, shprehet Këlliçi në reagimin e tij.

Ai pretendon gjithashtu se ekziston rreziku i infiltrimit të personave brenda turmës për të nxitur incidente, duke e cilësuar situatën si të qëllimshme nga ana e qeverisë.

“Burime shumë serioze informojnë se Edi Rama do ta ekzekutojë vetë këtë skenar me njerëzit e tij të infiltruar mes turmës”, thuhet në deklaratë.

Këlliçi u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin çdo veprim që mund të devijojë, sipas tij, qëllimin e protestës.

“Bëni kujdes, qëndroni vigjilent, distancohuni nga provokimet”, përfundon ai.

Datat 9-11 qershor shënojnë javën kulturore izraelite, të organizuar në kuadër të eventeve vjetore të Javëve Kulturore Ndërkombëtare.