Vendosni fjalën kyçe....

Protestat shtrihen edhe në Itali, shqiptarët tubohen në Torino


Vala e protestave qytetare ka kaluar kufijtë e vendit, duke mobilizuar edhe diasporën shqiptare në Itali. Dhjetëra emigrantë shqiptarë u mblodhën në Torino në një protestë paqësore, në mbështetje të demonstratave që po zhvillohen prej më shumë se një jave në Shqipëri.

Të pajisur me flamuj kombëtarë dhe pankarta, pjesëmarrësit shprehën pakënaqësinë ndaj klasës politike shqiptare dhe kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.

Protestuesit theksuan se mbështesin kërkesat e qytetarëve që po protestojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Tubimi në Torino vjen në një moment kur protestat në Shqipëri kanë hyrë në ditën e nëntë, me pjesëmarrje të lartë të qytetarëve që kundërshtojnë projektin në Zvërnec dhe kërkojnë ndryshime politike.

Vetëm një ditë më parë, mijëra persona morën pjesë në protestën e tetë radhazi në kryeqytet, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e qeverisë dhe rishikimin e disa ligjeve që, sipas tyre, cenojnë interesin publik.

Protesta e zhvilluar në Torino i shtohet tubimeve të ngjashme të organizuara nga diaspora shqiptare në vende të tjera europiane, duke treguar se debati dhe pakënaqësia lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri po gjejnë jehonë edhe jashtë vendit.