Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka intensifikuar operacionin për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi në Kamëz, duke vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo informacion që çon në lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Sipas policisë, personi i dyshuar është 39-vjeçari Sadik Llanaj, i cili konsiderohet me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe dyshohet se vazhdon të jetë i armatosur.
Për këtë arsye, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos ndërmarrin asnjë veprim vetë në rast se e konstatojnë apo kanë informacion mbi vendndodhjen e tij.

Në operacion janë angazhuar Forcat Kombëtare të Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët po zhvillojnë kontrolle intensive në zona të ndryshme për gjetjen e të dyshuarit.
Policia apelon që çdo informacion të përcillet menjëherë te autoritetet përmes numrave:
- 069 41 05 735 (numri i dedikuar)
- 112 (numri pa pagesë)
Uniformat blu theksojnë se bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për kapjen e autorit, por nënvizojnë se ai duhet konsideruar i armatosur dhe potencialisht i rrezikshëm, ndaj çdo informacion duhet t’i referohet vetëm strukturave policore.
