
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar mes debatit dhe protestave që po zhvillohen në lidhje me projektin e Zvërnecit, duke përcjellë një mesazh për mbrojtjen e biodiversitetit dhe habitateve natyrore.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Delegacioni i BE-së thekson rëndësinë e shpendëve për ekosistemin, duke paralajmëruar se mbi 49% e specieve të shpendëve në botë janë nnë pakësim.
“Një këngë shpendi është më shumë se tingull, është shenjë e një natyre që jeton dhe merr frymë.
Mbi 49% e specieve të shpendëve në botë janë në pakësim, një sinjal i qartë se ekuilibri i ekosistemeve po vihet në provë.
Shpendët janë thelbësorë për natyrën: shpërndajnë fara, kontrollojnë insektet dhe ndihmojnë që ekosistemet të funksionojnë në mënyrë të shëndetshme.
Por humbja e habitateve dhe ndotja po i shtyjnë shumë specie drejt zhdukjes, duke e bërë natyrën më të heshtur çdo ditë.
Mbro habitatet natyrore, përpara se qielli të mbetet pa këngë shpendësh.
Mbro natyrën, sa je në kohë.”, thuhet në postimin e delegacionit të BE-së.