Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet izraelite vrasin 9 persona në Liban, mes tyre tre ushtarakë, pak ditë pas armëpushimit


Të paktën nëntë persona, mes tyre tre pjesëtarë të ushtrisë libaneze, janë vrarë të shtunën nga sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit, vetëm pak ditë pas arritjes së një marrëveshjeje të re armëpushimi mes dy vendeve.

Sipas ushtrisë libaneze, një sulm ajror goditi një automjet në rrugën që lidh qytetin Nabatieh me Marjayoun, duke vrarë një gjeneral brigade, një kapiten dhe një ushtar. Emrat e viktimave nuk janë bërë publikë, përcjell AP.

Një tjetër sulm në fshatin Saksakiyah shkaktoi vdekjen e gjashtë personave dhe plagosjen e katër të tjerëve, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Liban.

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, e dënoi sulmin ndaj ushtrisë së vendit, duke e cilësuar atë si “një shkelje flagrante të sovranitetit të Libanit dhe të së drejtës ndërkombëtare”.

Në një reagim zyrtar, ushtria libaneze deklaroi se “agresioni i vazhdueshëm, i qëllimshëm dhe i përsëritur izraelit” synon të pengojë përpjekjet për arritjen e stabilitetit, një armëpushimi gjithëpërfshirës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga territoret libaneze të pushtuara.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite konfirmoi sulmin ndaj automjetit, duke pretenduar se ai po lëvizte në mënyrë të dyshimtë pranë zonës së Kfar Tibnit dhe se kishte marrë informacione konkrete se Hezbollah planifikonte të hapte zjarr ndaj ushtarëve izraelitë nga ajo zonë.

Autoritetet izraelite theksuan se operacionet e tyre kanë në shënjestër Hezbollahun dhe jo ushtrinë libaneze.

Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi edhe vdekjen e dy ushtarëve të saj në jug të Libanit, pa dhënë detaje mbi datën apo rrethanat e ngjarjes.

Armëpushimi i fundit u arrit pas ndërmjetësimit të Shteteve të Bashkuara mes Izraelit dhe qeverisë libaneze, e cila ka akuzuar Hezbollahun se e ka futur vendin në luftë dhe ka ndërmarrë përpjekje për çarmatimin e grupit. Megjithatë, Hezbollah ka refuzuar marrëveshjen.

Që nga fillimi i konfliktit më 2 mars, kur Hezbollah nisi sulme me raketa ndaj veriut të Izraelit, luftimet kanë shkaktuar pasoja të rënda. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 3.500 persona janë vrarë në Liban, ndërsa më shumë se një milion banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Në anën izraelite, luftimet kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 31 ushtarëve dhe tre civilëve.