
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka ngritur alarmin për një fushatë të re mashtrimi online që po synon qytetarët shqiptarë përmes mesazheve SMS, të cilat pretendojnë se njoftojnë për gjoba trafiku të papaguara.
Sipas njoftimit të institucionit, këto mesazhe paraqiten si komunikime zyrtare dhe përmbajnë lidhje (linke) që i drejtojnë përdoruesit drejt faqeve të rreme të ndërtuara për të imituar platformën e-Albania.
Qëllimi i kësaj skeme mashtruese është përvetësimi i të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve. Pasi klikojnë në lidhjet e dërguara, përdoruesit mund të mashtrohen duke futur kredencialet e tyre, të dhënat e kartave bankare ose informacione të tjera sensitive.
AKSK bën të ditur se ka referuar pranë strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe pranë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare domenet dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet, me qëllim identifikimin dhe bllokimin e tyre.
Institucioni u rekomandon qytetarëve:
Të mos klikojnë në lidhje të dyshimta të marra me SMS ose email.
Të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të pakonfirmuara.
Të verifikojnë gjobat dhe të kryejnë pagesat vetëm përmes kanaleve zyrtare.
Të kontrollojnë me kujdes adresën e faqes përpara se të fusin informacion personal.
AKSK apelon për vigjilencë të shtuar dhe thekson se, në rast se një qytetar dyshon se ka dhënë të dhënat e tij në një faqe mashtruese, duhet të kontaktojë menjëherë bankën përkatëse për bllokimin e mundshëm të kartave apo llogarive dhe të raportojë rastin pranë autoriteteve kompetente.
“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka identifikuar një fushatë mashtrimi përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten si njoftime për gjoba trafiku të papaguara dhe ridrejtojnë përdoruesit drejt faqeve që imitojnë platformën zyrtare e-Albania, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale, kredencialeve dhe informacioneve bankare.
AKSK ka ndërmarrë masat e nevojshme, duke referuar pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, si dhe pranë AKEP-it, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës, për marrjen e masave përkatëse të bllokimit. Mesazhet përmbajnë lidhje të dyshimta që synojnë përvetësimin e të dhënave personale, kredencialeve dhe informacioneve bankare.
Për t’u mbrojtur:
Mos klikoni në lidhje të dyshimta.
Mos ndani të dhëna personale apo bankare.
Verifikoni gjithmonë adresën e faqes që po vizitoni.
Përdorni vetëm kanalet zyrtare për të kontrolluar ose kryer pagesa.
Nëse dyshoni se keni rënë pre e këtij mashtrimi, kontaktoni menjëherë bankën tuaj dhe raportoni rastin pranë autoriteteve përkatëse.”