
Kryeministri Rama tha nga Elbasani se thirrja e qytetarëve që protestojnë në bulevard “Shqipëria e shqiptarëve” është raciste dhe e ngjashme me thirrjen e Gjermanisë Naziste.
Gjatë takimit me socialistët në 35-vjetorin e themelimit të PS-së së Elbasanit, ai tha se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut dhe se shprehja “Shqipëria e shqiptarëve” është thikë pas shpine ndaj atyre që shpëtuan mijëra hebrej gjatë Luftës së Dytë Botërore pikërisht prej Gjermanisë Naziste.
“Shqipëria e shqiptarëve?! Shqipëria është e Zotit dhe e mikut dhe këtë e thotë kanuni. Të kujton atë Gjermania është e gjermanëve. Ajo është raciste, është verbëri, thikë pas shpinë për të gjithë ata që Shqipërisë i kanë dhënë medaljen e artë pas Luftës së Dytë Botërore. Kush flet sot për këtë pështyn mbi varrin e tyre. Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Shtëpia është e hapur për të gjithë. “Shqipëria është e shqiptarëve” të kujton atë sloganin e Gjermanisë Naziste. Me atë slogan ata e bënë Gjermaninë delen e zezë të botës. Ai është racizëm, verbëri dhe thikë pas shpine, për të gjithë ata që Shqipërisë i kanë dhënë medaljen e artë në luftën e dytë botërore. Në radhë të parë myslimanët, pastaj edhe të krishterët, që u bënë shpëtimtarët e hebrenjve dhe e bënë Shqipërinë të vetmin vend që nuk u dorëzua asnjë hebre. Ndërkohë që në gjithë Europën i merrnin hebrenjtë dhe i shisnin nga frika, ndërkohë që në Shqipëri vunë veten në rrezik, për të mbrojtur hebrenjtë. Në një kohë që kombi shqiptar është në një moment po aq historik sa Lidhja e Prizrenit, siç është futja në BE, këto janë marrëzira që shkojnë në drejtim të gabuar me sensin e historisë.” – tha Rama.