Vendosni fjalën kyçe....

Sarandë/ Arrestohet 37-vjeçari, dyshohet se shiste kokainë në lokalin e tij, i gjendet edhe armë zjarri


Një 37-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Sarandë gjatë një operacioni policor të koduar “Administratori”, pasi dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe mbante armë zjarri pa leje.

Sipas Policisë së Shtetit, në pranga ka rënë shtetasi A.H., banues në Sarandë, administrator i një lokali në lagjen nr. 4 të qytetit, i cili dyshohet se e kishte kthyer ambientin në pikë shitjeje të kokainës.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në lokal dhe gjatë kontrollit fizik ndaj tij, efektivët sekuestruan një armë zjarri pistoletë me një krehër me 7 fishekë, si dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, e cila dyshohet se mbahej me qëllim shitjen.

Policia bën me dije se operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme në qytetin bregdetar.

“Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në ambiente dhe subjekte të ndryshme në qytetin e Sarandës, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, gjatë operacionit policor të koduar ‘Administratori’, u goditën një rast i armëmbajtjes pa leje dhe një rast i shitjes së lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme hetimore.