
Kryeministri Rama tha sot se nëse vendi shkon në zgjedhje sot, PS-ja merr 100 mandate.
Gjatë fjalës para qindra mbështetësve të PS-së në Elbasan në 35-vjetorin e themelimit të degës së qytetit, kreu i qeverisë sulmoi gazetarët e analistët që e kanë kritikuar teksa tha se “bëjnë pushime Green Coast” e u qajnë hallin flamingove.
“Na tregojnë ne tradhtarët disa analistë e gazetarë që paguhen me lekë nën dorë, nuk deklagojnë pagat e tyre. Shkojnë atje te Green Cost bëjnë pushime në mes të betonit dhe ju qajnë hallin Flamingove. Ne nuk jemi të përsosur dhe pa gabime, por moral nga Mustafa Nano, i cili erdhi në zyrën time, u shtri atje në kolltuk dhe tha ‘nuk kam fuqi më të merrem me këtë vend, dua të shkoj ambasador’. ‘Po mirë’ i thashë ‘të shohim si mund të bëjmë për këtë.’ Muçi shkoi ambasador në Zvicër, nuk mbajti dot një zyrë ku ishte vetëm me veten e vet dhe një sekretare, nuk bëri dot një punë për vendin, e la në mes detyrën dhe kthehet mbrapsht dhe tregon se si duhet ta bëjmë ne detyrën dhe si duhet ta bëj unë detyrën. Me shku në zgjedhje sot, duhen tre muaj me bë një parti. Me shku në zgjedhje ne marrim 100 mandate dhe do të presim të vijë nga një zog tjetër dhe të thotë duam zgjedhjet prapë. Zogu, zgjedhjet ne i kemi fituar për ta futur Shqipërinë në Bashkimin evropian”, tha Rama.
Ai nuk harroi të shigjetojë edhe ata që i quajti blogerë, të cilët tha ai nuk i paguajnë 1 euro taksë shtetit.
“Na tregojnë këta korrupsionin. Na e tregojnë korrupsionin blogerët që nuk lënë para pa mbledhur duke treguar të gjitha anët e trupit, që unë i kam treguar pa lekë kur isha i ri dhe që nuk i japin 1 euro taksë shtetit shqiptar. 1 euro taksë nuk paguajnë ata blogerë e influencerë. Blogerat të kapin njëri-tjetrin, njëri të vishet si flamengo, tjetri të vishet si unë, edhe të luftojnë kush fiton”, tha mes të tjerash Rama.