Vendosni fjalën kyçe....

Nju Jork, Londër, Bruksel, Hamburg, Milano e Bernë, diaspora proteston


Protesta të shumta janë organizuar edhe sot nga shqiptarët e diasporës në dhjetëra qytete. Diaspora ka protestuar në Londër, Bruksel, Hamburg, Milano, Nju Jork e Bern.

Ata kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj disa projekteve të qeverisë shqiptare, përfshirë zhvillimet e planifikuara në zonën e Zvërnecit si dhe kanë kritikuar qeverisjen Rama që sipas tyre është përgjegjësi për shpopullimin e vendit.

Tubime janë zhvilluar në qytete të ndryshme të Italisë, përfshirë Milano, si edhe në Londër dhe Neë York. Pjesëmarrësit kanë shprehur shqetësime lidhur me ndikimin që, sipas tyre, këto projekte mund të kenë mbi mjedisin, pasuritë natyrore dhe interesin publik.

Protestuesit kanë përdorur pankarta dhe mesazhe publike për të kërkuar më shumë transparencë në proceset vendimmarrëse dhe për të kundërshtuar politikat që, sipas tyre, cenojnë zonat me rëndësi mjedisore.

Reagime janë regjistruar edhe në Zvicër, ku një grup shqiptarësh u mblodh para përfaqësisë konsullore shqiptare. Gjatë tubimit, protestuesit artikuluan kritika ndaj qeverisë dhe kërkesa politike, përfshirë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Këto protesta pasojnë mobilizimet e zhvilluara së fundmi në Shqipëri dhe tregojnë angazhimin e një pjese të diasporës shqiptare në debatet mbi çështje politike, mjedisore dhe zhvillimore që prekin vendin.