Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama sulmon protestuesit në vend që të japë llogari, po fsheh të vërtetën për Zvërnecin


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një videomesazhi, duke sulmuar qëndrimet e mbajtura nga kryeministri Edi Rama lidhur me projektin turistik në Zvërnec dhe valën e revoltave qytetare.

Berisha e cilësoi daljen publike të kreut të qeverisë si një “monolog të së dielës” dhe një përpjekje të dëshpëruar për të shmangur llogaridhënien, duke zgjedhur në vend të saj kërcënimin dhe përçmimin e dhjetëra mijëra qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e tij.

Sipas liderit të opozitës, kryeministri tentoi sërish të shmangë përgjegjësinë duke shpikur skenarë konspirativë dhe duke bërë fajtore forcat e jashtme.

“Ai prapë u përpoq t’i akuzojë fuqi të huaja, na rikujtoi kohërat e zeza të diktaturës kur e gjithë bota paraqitej kundër nesh. Shpiku armiq imagjinarë dhe u përpoq të argumentojë luftën hibride kundër Shqipërisë. E vërteta është se këto protesta kanë në themel, para së gjithash dhe mbi të gjitha, veprimet me zero transparencë të Edi Ramës dhe qeverisë së tij në investimet në Zvërnec,” – deklaroi Berisha.

Berisha denoncoi faktin se pas shifrave miliardere të investimit fshihet një mungesë totale transparence sa i përket çështjes mjedisore dhe pronësisë.

 Ai hodhi akuza direkte se kryeministri ka firmosur lejen e zhvillimit për këtë projekt në kundërshtim të plotë me ligjin, duke injoruar faktin se trojet ndodhen në mes të konflikteve të hapura gjyqësore mes palëve private.

Më tej, kreu i selisë blu nënvizoi se qeveria ka shkelur detyrimet madhore që lidhen me procesin e integrimit europian, duke anashkaluar filtrat e rreptë mjedisorë.

“Nuk tha një fjalë të vetme, nëse ai në detyrim, në detyrim madhor të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian që rrjedhin nga direktiva ‘Natura 2000’ ka bërë aty një vlerësim të përshtatshëm, ka bërë aty një vlerësim strategjik, ka bërë një vlerësim mjedisor për të gjithë këtë projekt. Përkundrazi, u tha mediave ndërkombëtare se nuk ekziston projekt. Nga ana tjetër, nuk mund të miratohet kurrë leja e zhvillimit pa një projekt apo të paktën një projekt-ide,” – nënvizoi ai.

Në mbyllje të mesazhit të tij, Berisha ironizoi edhe pretendimet e Ramës për vlerësimet ndërkombëtare në fushën e mjedisit, duke u shprehur se Shqipëria mbetet vendi me pyjet më të shkatërruara dhe më të djegura në Europë.

Ai e mbylli reagimin duke e cilësuar fjalimin e kryeministrit si një mashtrim të radhës të karakterizuar nga një “cinizëm i pashembullt” dhe “arrogancë e papërmbajtur” ndaj rinisë dhe qytetarëve që kanë mbushur sheshet.