
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave që po zhvillohen prej ditësh kundër projektit në Zvërnec dhe kërkesës për dorëheqjen e qeverisë, duke i cilësuar akuzat dhe kundërshtimet ndaj investimit si “budallallëqe”.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga një projekt turistik në Katar, duke e lidhur atë me të njëjtin grup investitorësh që, sipas tij, është i përfshirë edhe në projektin e diskutuar në Zvërnec.
Sipas kryeministrit, bëhet fjalë për një kompani me reputacion ndërkombëtar dhe përmasa globale, e cila nuk do të rrezikonte emrin e saj me projekte të dyshuara apo të kontestuara.
“Po budallallëku që e ka lënë këtë vend mbrapa bote 100 vite, nuk ka për ta marrë dot peng Shqipërinë Europiane dhe Turistike”, shkroi Rama në reagimin e tij.
Protestat kundër projektit në Zvërnec vijojnë prej disa ditësh, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e tubimeve deri në plotësimin e kërkesave të tyre, përfshirë anulimin e projektit dhe dorëheqjen e qeverisë.