
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës po zhvillohet në të gjitha misionet e planifikuara, ndërsa deri në orën 13:00 kanë votuar 10,804 shtetas të regjistruar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën e dytë për media, tha se me hapjen e vendvotimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, procesi tashmë është aktiv në të gjitha përfaqësitë diplomatike.
“Me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, ju njoftojmë se tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. Pra, procesi i votimit është duke u zhvilluar në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës, të cilat ndodhen në 18 shtete të ndryshme të botës”, tha Elezi.
Sipas tij, sipas të dhënave nga 26 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 38.97% apo 10,804 votues, raporton RTK.
“Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë sot, 6 qershor 2026, pasi në listën votuese e cila është dërguar në përfaqësi dipomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit”, tha ai.
Procesi i votimit ka filluar dhe po zhvillohet në këto përfaqësi diplomatike: (1). Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankfurt – konsullatë; Hamburg – konsullatë; Mynih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Diseldorf – konsullatë); (2). Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); (3). Mbretëria e Bashkuar (Londër – ambasadë); (4). Francë (Paris – ambasadë; Strasburg – konsullatë); (5). Belgjikë (Bruksel – ambasadë); (6). Norvegji (Oslo – ambasadë); (7). Austri (Vjenë – ambasadë); (. Suedi (Stokholm – ambasadë); (9). Slloveni (Lubjanë – ambasadë); (10). Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); (11). Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); (12). Turqi (Stamboll – konsullatë); (13). Kroaci (Zagreb – ambasadë); (14). Holandë (Hagë – ambasadë); (15). Republika Çeke (Pragë – ambasadë) dhe (16). Hungari (Budapest – ambasadë); (17). ShBA (Uashington – ambasadë dhe Nju York – konsullatë); dhe (18). Kanada (Otavë – ambasadë dhe Toronto – konsullatë).
“Në përgjithësi, votimi do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 27,724 votues”, tha ai.