
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi të shtunën se Evropa po përballet me atë që ai e quajti një “pushtim” nga ideologji të rrezikshme që mbërrijnë nga deti, duke e lidhur çështjen e emigracionit me trashëgiminë e zbarkimit të forcave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, përcjell Reuters.
Gjatë një fjalimi në varrezat amerikane të Normandisë, në Colleville-sur-Mer, në kuadër të përkujtimit të 82-vjetorit të zbarkimit aleat në Normandi, Hegseth tha se disa vende evropiane po përballen me sfida serioze që lidhen me emigracionin.
“Fatkeqësisht, sot plazhe të ndryshme evropiane po sulmohen nga ideologji të ndryshme dhe të rrezikshme. Në plazhet e Spanjës, Italisë, Greqisë dhe Bullgarisë mbërrijnë anije dhe burra”, u shpreh ai.
Më tej, sekretari amerikan ngriti pyetjen nëse kryeqytetet evropiane do të veprojnë përballë kësaj situate.
“Kur do të bëjnë diçka kryeqytetet evropiane për këtë pushtim, apo është tepër vonë? Lutem që jo dhe besoj se jo”, deklaroi Hegseth.
Komentet e tij pasqyrojnë qëndrimet e administratës së presidentit amerikan Donald Trump, e cila ka kritikuar shpesh vendet evropiane për menaxhimin e emigracionit, shpenzimet e mbrojtjes dhe politikat e brendshme.
Fjalimi u mbajt gjatë ceremonive për përvjetorin e zbarkimit të forcave aleate në Normandi, një prej operacioneve më të rëndësishme ushtarake të Luftës së Dytë Botërore, që shënoi fillimin e çlirimit të Evropës Perëndimore nga pushtimi nazist.