Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Dënoj me forcë krahasimin që Rama u bëri protestuesve me falangat e Hitlerit



Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestat kundër projektit në Zvërnec, duke i cilësuar ato të papranueshme dhe fyese për qytetarët që po protestojnë.

Gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se dënon ashpër krahasimet e bëra nga kryeministri.

“Dënoj me forcë krahasimin që Rama u bëri protestuesve me falangat e Hitlerit. Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Dje, në përçartjet e tij, u rrek të krahasojë edhe Mithat Frashërin me Hitlerin, për fajin e vetëm se protestuesit përdorin një thënie të Mithat Frashërit”, deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve kritikoi gjithashtu deklaratat e Ramës për ndikime të huaja pas protestave, duke i cilësuar ato si pjesë të një mentaliteti të vjetër politik.

“Në mediat më të mëdha botërore thotë se jemi në luftë hibride. Thëniet për Greqinë apo vende të tjera që po bëjnë gjithçka kundër turizmit tonë janë psikologjia e trashëguar e Enver Hoxhës për armiq të jashtëm e të brendshëm”, u shpreh ai.

Sipas Berishës, përpjekjet për t’i lidhur protestat me faktorë të jashtëm synojnë të zbehin legjitimitetin e reagimit qytetar ndaj projektit në Zvërnec.

“Po përpiqet të delegjitimojë protestat qytetare duke i lidhur ato me faktorë të jashtëm, ndërkohë që reagimet kundër projektit janë shprehje e pakënaqësisë së qytetarëve”, tha kreu i PD-së.

Protestat kundër projektit në Zvërnec vijojnë prej disa ditësh në Tiranë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e tyre deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.