Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: SPAK duhet të kërkojë sërish autorizim në Kuvend për arrestimin e Ballukut



Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi SPAK ka sekuestruar një vilë që dyshohet se është pronë e fshehur e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e regjistruar në emër të ish-kapitenit të kombëtares Igli Tare.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi thekson se Prokuroria duhet të ndërmarrë hapa të rinj procedurialë, përfshirë edhe kërkesën në Kuvend për autorizim për arrestim.

“Më 26 shkurt në një intervistë në News 24 paralajmëruam se Belinda Balluku ka pasuri të fshehura nga aferat e saj korruptive. Vetëm në pak muaj SPAK ka dokumentuar 2 pasuri të fshehura në jug të Shqipërisë – 1 vilë 300 m² për Belinda Ballukun dhe 1 tjetër vilë në pronësi të Sekretares së saj të Përgjithshme. E vërteta doli!”, shkruan Bardhi.

Ai akuzon gjithashtu qeverinë për mbrojtje politike të zyrtarëve të lartë.

“Në 12 mars Edi Rama mbrojti korrupsionin e Belinda Ballukut! Të korruptuarit mbrojnë të korruptuarit!”, shton ai.

Sipas Bardhit, SPAK duhet të vijojë me veprime konkrete ligjore ndaj ish-zëvendëskryeministres.

“Tani është detyrë e SPAK të rikërkojë arrestimin e Belinda Ballukut, sipas detyrimit që përcakton ligji. Koha është tani!”, përfundon reagimi i tij.