Vendosni fjalën kyçe....

Shpallet fituesi për ndërtimin e aksit Milot-Balldren, Karakaçi: Punimet do të nisin sa më shpejt


Është shpallur fituesi i procedurës për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren, një nga segmentet më të rëndësishme të Korridorit Adriatiko-Jonian dhe pjesë e projekteve strategjike të infrastrukturës rrugore në vend.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili garantoi se do të ketë angazhim maksimal për nisjen e shpejtë të punimeve dhe respektimin e afateve kontraktuale.

“Do të angazhohem që fillimi i ndërtimit të kësaj rruge të kryhet sa më shpejt dhe brenda afateve të përcaktuara nga kontrata”, deklaroi Karakaçi.

Një ditë më parë, gjatë një interpelance në Kuvend, ministri kishte bërë të ditur se projekti i Milot-Balldrenit ndodhej në fazën përmbyllëse të procesit të koncensionimit. Ai kishte pranuar gjithashtu një vonesë prej rreth dy javësh në shpalljen e fituesit, duke kërkuar ndjesë për mosrespektimin e afatit të parashikuar.

“Fituesi duhet të kishte dalë brenda datës 20 maj. Kërkoj shumë ndjesë sepse i ndiej ato dy javë të humbura”, ishte shprehur ministri.

Aksi Milot-Balldren konsiderohet një nyje e rëndësishme e Korridorit Adriatiko-Jonian dhe synon të përmirësojë ndjeshëm lidhjen rrugore në veri të vendit, duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe duke rritur sigurinë rrugore.