Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, do të zhvillojë të dielën një takim në Londër me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer, me fokus rritjen e presionit ndaj Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën.
Sipas Presidencës franceze, liderët do të diskutojnë hapat e ardhshëm në një moment kur, sipas Parisit, Rusia po përballet me vështirësi ushtarake, ekonomike dhe strategjike në luftën kundër Ukrainës, përcjell Euronews.
Takimi do të zhvillohet në Downing Street dhe do të shërbejë gjithashtu për të vlerësuar përpjekjet e deritanishme në funksion të arritjes së një paqeje të drejtë dhe afatgjatë në Ukrainë dhe në kontinentin europian.
Gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në Mal të Zi, Macron njoftoi gjithashtu se mbledhja e ardhshme e të ashtuquajturit Koalicioni i të Gatshmëve do të mbahet në Paris më 13-14 korrik.
“Do të takohemi me presidentin Zelensky brenda pak ditësh për të organizuar mbështetjen në kuadër të Koalicionit të të Gatshmëve dhe për ta strukturuar atë”, deklaroi Macron.
Koalicioni i të Gatshmëve është një nismë e udhëhequr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, ku marrin pjesë rreth 25 vende që janë shprehur të gatshme të dërgojnë një forcë shumëkombëshe në Ukrainë pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
Takimi në Londër vjen një ditë pasi Zelensky i dërgoi një letër të hapur presidentit rus Vladimir Putin, duke propozuar një takim ballë për ballë dhe duke deklaruar gatishmërinë për një armëpushim të plotë.
Nisma e presidentit ukrainas është përshëndetur nga Macron, i cili e cilësoi atë si “një iniciativë të mirë”, ndërsa mbështetje ka marrë edhe nga Bashkimi Europian dhe Gjermania.
