Vendosni fjalën kyçe....

Trump: SHBA nuk do të nxitohet për marrëveshjen me Iranin, bllokada në Hormuz mbetet deri në firmosjen finale


Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se i ka udhëzuar negociatorët amerikanë të mos nxitojnë drejt një marrëveshjeje me Iranin, duke theksuar se “koha është në anën tonë” dhe se bllokada amerikane do të mbetet plotësisht në fuqi deri në arritjen dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare.

Në një postim në Truth Social, Trump e paraqiti procesin aktual si një alternativë më të fortë ndaj marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, të arritur gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama, të cilën ai e cilësoi si “një nga marrëveshjet më të këqija të bëra ndonjëherë nga SHBA”.

Bisedimet po zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe konstruktive, por nuk mund të ketë gabime. Irani duhet ta kuptojë se nuk mund të zhvillojë apo të zotërojë armë bërthamore”, shkroi Trump.

Më herët gjatë ditës, në një intervistë për ABC, presidenti amerikan deklaroi:

“Nuk mund të flas për marrëveshjen; gjithçka varet nga unë dhe nëse do të ketë lajme, do të jenë lajme të mira. Unë nuk bëj marrëveshje të këqija.”

Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, reagoi për herë të parë publikisht mbi negociatat në zhvillim, duke publikuar në rrjetin X një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale ku shfaqej përkrah Trump, i shoqëruar me mesazhin: “Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”.

Sipas zyrtarëve izraelitë, Uashingtoni po e mban Jerusalemin të informuar mbi negociatat që lidhen me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e bisedimeve për një marrëveshje finale mbi çështjet ende të pazgjidhura mes SHBA-së dhe Iranit, sipas Ynet.

Burimet thanë se Netanyahu i ka bërë të qartë Trump gjatë një telefonate të shtunën në mbrëmje se Izraeli do të ruajë “lirinë e veprimit” ndaj kërcënimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin. Trump, sipas tyre, ka ritheksuar mbështetjen për këtë qëndrim.

Po ashtu, presidenti amerikan u ka bërë të qartë autoriteteve izraelite se kërkesa e tij kryesore mbetet çmontimi i programit bërthamor iranian dhe largimi i gjithë uraniumit të pasuruar nga territori iranian para çdo marrëveshjeje përfundimtare.

Nga ana tjetër, Netanyahu ka shprehur sërish “vlerësimin për angazhimin afatgjatë të Trump ndaj sigurisë së Izraelit”.