Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna pranë Shtëpisë së Bardhë, vritet autori pas shkëmbimit të zjarrit me Shërbimin Sekret


Një person i armatosur u vra mbrëmjen e së shtunës pranë Shtëpisë së Bardhë, pasi hapi zjarr ndaj një pike kontrolli të Shërbimit Sekret amerikan, konfirmuan autoritetet amerikane.

Sipas mediave amerikane, autori është identifikuar si 21-vjeçari Nasire Best, i njohur më parë nga Shërbimi Sekret dhe me histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.

Presidenti amerikan, Donald Trump, falënderoi efektivët për “veprimin e shpejtë dhe profesional” gjatë neutralizimit të autorit.

“Faleminderit Shërbimit tonë të madh Sekret dhe forcave ligjzbatuese për reagimin e shpejtë dhe profesional kundër një personi të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë”, shkroi Trump në Truth Social.

Ngjarja ndodhi pak para orës 18:00 me orën lokale, kur i dyshuari nxori armën nga çanta dhe nisi të qëllonte pranë ndërtesës Eisenhower Executive Office, shumë afër kompleksit presidencial në Uashington.

Agjentët e Shërbimit Sekret iu përgjigjën menjëherë me zjarr, duke e plagosur rëndë autorin, i cili u transportua në spital, por më pas u shpall i vdekur.

Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar, ndërsa autoritetet thanë se asnjë efektiv i Shërbimit Sekret nuk u lëndua.

Trump ndodhej brenda Shtëpisë së Bardhë në momentin e incidentit, por sipas autoriteteve “asnjë person i mbrojtur dhe asnjë operacion i sigurisë nuk u prek”.

Sipas CBS News, Best kishte tentuar edhe në korrik të vitit 2025 të hynte në Shtëpinë e Bardhë, por ishte arrestuar pranë kompleksit presidencial dhe më pas kishte kaluar një periudhë në një institucion psikiatrik.

Incidenti vjen vetëm një muaj pasi një person tjetër i armatosur hapi zjarr gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Pas të shtënave, gazetarët që ndodheshin në oborrin verior të Shtëpisë së Bardhë u evakuuan me urgjencë drejt sallës së konferencave. Disa reporterë filmuan momentin kur u dëgjuan të shtënat dhe u urdhëruan të futeshin menjëherë në ambientet e sigurisë.

Na thanë të vraponim drejt sallës së konferencave ku qëndruam të izoluar”, shkroi në rrjetin X gazetarja e ABC News, Selina Wang.

Ngjarja mbetet ende nën hetim nga autoritetet federale amerikane.