Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Europa nuk po na pengon, korrupsioni po! Integrimi nuk fitohet me propagandë


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka lëshuar një mesazh të fortë në rrjetet sociale mbi procesin e integrimit europian, duke deklaruar se pengesa kryesore e Shqipërisë nuk janë standardet e Bashkimit Europian, por korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.

Në një analizë të gjatë mbi situatën aktuale të negociatave, Tabaku shprehet se Shqipëria ndodhet përballë një momenti historik që mund të humbasë nëse procesi vazhdon të trajtohet si propagandë politike.

Deputetja demokrate sulmon edhe mënyrën sesi, sipas saj, qeveria po e trajton procesin e integrimit, duke e kthyer në një betejë propagandistike dhe jo në një plan real transformimi për vendin.

Ajo paralajmëron se Shqipëria po rrezikon të humbasë një “dritare historike gjeostrategjike”, në një moment kur Europa ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa rajoni ka nevojë për Europën.

Në reagimin e saj, Tabaku merr si shembull Malin e Zi, që sipas saj ka arritur të mbyllë 15 kapituj negociues, ndërsa Shqipëria vazhdon të mbetet e bllokuar nga korrupsioni dhe mungesa e reformave reale.

“Europa nuk është slogan politik. Është mekanizëm standardesh, transparence dhe përgjegjësie”, shkruan ajo, duke kërkuar që procesi i integrimit të bëhet transparent dhe t’u përkasë realisht qytetarëve shqiptarë.

 

REAGIMI I TABAKUT
Integrimi europian i Shqipërisë është një nga objektivat më të rëndësishëm të shoqërisë sonë. Për vite me radhë ky proces u ndal si pasojë e krizave të brendshme politike, mungesës së reformave reale dhe hendekut mes asaj që premtohej në Bruksel dhe asaj që ndodhte në Shqipëri. Edhe sot, pak ditë pasi kaluan pozicionet e ndërmjetme dhe IBAR, udhëkryqi i Shqipërisë mbetet po aty: a do ta përdorim këtë moment historik për të transformuar vendin apo do ta humbasim edhe këtë mundësi?

Për ne në opozitë, integrimi europian ka qenë gjithmonë jetik për dy arsye themelore.

Së pari, sepse Bashkimi Europian është destinacioni ynë politik, ekonomik dhe qytetërues. Ne e shohim të ardhmen e Shqipërisë pikërisht aty: në një shoqëri ku funksionon demokracia, ku ekonomia mbështetet tek konkurrenca dhe meritokracia, ku qytetarët mbrohen nga ligji dhe jo nga lidhjet me pushtetin.

Së dyti, sepse ky proces kërkon një transformim rrënjësor të shtetit shqiptar dhe të marrëdhënies së tij me qytetarin. Më shumë demokraci. Më shumë llogaridhënie. Një ekonomi për të gjithë shqiptarët dhe jo për një pakicë. Institucione që funksionojnë dhe jo institucione që përdoren politikisht.

Për këtë arsye, procesi i integrimit duhet t’u përkasë shqiptarëve. Duhet të jetë transparent, i hapur dhe i kuptueshëm për qytetarët, biznesin, universitetet, shoqërinë civile dhe çdo institucion që ka rol në këtë transformim. Pas muajsh diskutimesh mbi IBAR dhe Common Position, debati sot nuk duhet të jetë propaganda apo triumfalizmi bosh, por pyetja reale: cilat janë detyrat konkrete që kemi përpara dhe si përgatitet Shqipëria për t’i përmbushur ato?

Për disa prej nesh që e ndjekin këtë proces prej vitesh dhe që e kanë besuar integrimin europian jo si reklamë rrjetesh sociale apo flamuj që valëviten për propagandë, kjo është një histori e gjatë përpjekjesh. Nga debatet “u hapën apo nuk u hapën negociatat”, tek çdo moment kur Shqipëria është përballur me dallgët e veta politike dhe institucionale.

E vërteta është se Shqipëria ka pasur në këto vite një mundësi historike. Një dritare gjeostrategjike që nuk ka ekzistuar kurrë më parë në këto dy dekada. Europa sot ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani ka nevojë për Europën. Dhe pikërisht në këtë moment historik, energjia e shtetit duhej të ishte përqendruar tek reformat reale, tek mbyllja e kapitujve dhe tek ndërtimi i besimit.

Shembulli i Malit të Zi duhet të shërbejë si reflektim dhe inkurajim. Një shtet që feston vetëm 20 vite si shtet i pavarur ka arritur të mbyllë 15 kapituj negociues, ndërsa ne ende festojmë 20 vite nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe vazhdojmë të mbetemi peng të retorikës së brendshme politike.

Sepse ky proces nuk është penguar nga fjala e lirë. Nuk është penguar nga ata që kërkojnë standarde europiane, zgjedhje të ndershme, drejtësi të pavarur apo institucione funksionale.

Procesi është penguar nga korrupsioni, nga abuzimi me pushtetin, nga mungesa e vullnetit për të zbatuar rregullat që vetë qeveritë premtojnë në Bruksel. Nuk është problem ai që flet për problemet e vendit. Problem është ai që i mohon ato. Nuk është problem ai që kërkon drejtësi të barabartë. Problem është ai që mendon se pushteti e vendos mbi ligjin. Nuk është problem ai që kërkon standarde në zgjedhje. Problem janë ata që i shkelin ato.

Bashkimi Europian nuk është një ëndërr abstrakte dhe as një slogan politik. Është një mekanizëm real që kërkon standarde, transparencë dhe përgjegjësi. Është mundësia që shqiptarët të kërkojnë llogari për ekonominë, për mjedisin, për energjinë, për korrupsionin, për infrastrukturën dhe për mënyrën si qeveriset vendi.

Prandaj sot, përtej reklamës dhe retorikës politike, sfida e vërtetë është kthimi i detyrimeve të Common Position në një plan real pune për shtetin shqiptar. Integrimi europian nuk fitohet me slogane. Fitohet me reforma, me standarde dhe me institucione që funksionojnë.

Dhe mbi të gjitha, fitohet kur ky proces bëhet realisht për shqiptarët.