Vendosni fjalën kyçe....

Sot homazhe në nderim të “Mjeshtrit të Madh”, aktorit Birçe Hasko


Në Akademinë e Arteve u mbajtën sot paradite homazhe në nderim të aktorit Birçe Hasko, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 84-vjeçare.

Birçe Hasko u nda nga jeta pas një karriere të gjatë në teatër e kinematografi me më shumë se 50 role. Ai mbante titullin “Mjeshtër i Madh” ndërsa shërbeu edhe si pedagog e dekan i Arteve për vite me ardhë.

I lindur në Dukat, Birçe Hasko shërbeu si mësues dhe drejtor në shkollat e disa fshatrave në Vlorë e Tepelenë deri në vitin 1965, kur u shkëput për të kryer studimet e larta për aktor gjatë viteve 1965-1969 në Institutin e Lartë të Arteve. Në përfundim të studimeve, Hasko vijoi punën si pedagog i Mjeshtërisë së Aktorit në Akademinë e Arteve, duke mos iu ndarë asnjëherë mësimdhënies dhe skenës.

Me një plastikë të jashtëzakonshme, origjinal, elegant, i drejtpërdrejt, herë-herë shpotitës, hijerëndë e serioz, Birçe Hasko interpretoi në filmat: “Kur zbardhi një ditë” në rolin e ballistit Sulo, në “Malet me blerim mbuluar”, “Njeriu me top”, “Koncert në vitin 1936”, “Radiostacioni”, “Dhe vjen një ditë, “Përrallë nga e kaluara”, “Shkëlqim i përkohshëm”, “I dashur armik”, “Shi në plazh” etj.. Roli i tij i fundit është ai në filmin “Kronikë Provinciale” në vitin 2009.

Po ashtu, Birçe Hasko ka inskenuar shumë etyde, fragmente, si dhe 18 vepra dramatike të plota, duke përplotësuar kështu imazhin e artistit shumëdimensional.