
Të paktën 24 persona u vranë dhe 82 të tjerë u plagosën nga një shpërthim që shënjestroi një tren pasagjerësh të linjës “Jaffar Express” në provincën e Balochistanit, në jugperëndim të vendit, të dielën, njoftuan burime policore.
Treni, i cili po transportonte punonjës të forcave të rendit që po ktheheshin në shtëpi për festat e Bajramit, ishte nisur nga stacioni “Quetta Cantonment” kur ndodhi shpërthimi rreth orës 8:05 të mëngjesit sipas kohës lokale, thanë burimet për Xinhua në kushte anonimiteti.
Si pasojë e shpërthimit, disa vagonë dolën nga shinat dhe dy prej tyre u përfshinë nga flakët, ndërsa u dëmtuan edhe automjete pranë vendit të ngjarjes. Mes të vrarëve dhe të plagosurve ka edhe gra e fëmijë, shtuan burimet.
Pesëdhjetë e shtatë nga të plagosurit u dërguan me urgjencë në një spital ushtarak, ndërsa 25 të tjerë në Spitalin Civil të Kuetës.
Hetimet paraprake sugjerojnë se sulmi u krye përmes një automjeti-bombë të drejtuar nga një kamikaz, i cili ishte i mbushur me më shumë se 70 kg lëndë shpërthyese, sipas të njëjtave burime.