
Të paktën një person ka humbur jetën pasi një ndërtesë në ndërtim u shemb në Filipine të dielën, ndërsa ekipet e shpëtimit po kërkojnë nën rrënoja për 21 persona të raportuar si të zhdukur, thanë autoritetet.
Zyrtarët deklaruan se është hapur një hetim për të përcaktuar shkaqet e shembjes së ndërtesës shumëkatëshe në Angeles, në veri të kryeqytetit Manila.
Ekipet e shpëtimit në vendngjarje u panë duke lëvizur mbi grumbuj pllakat betoni dhe struktura çeliku të deformuara në kërkim të të mbijetuarve. Ata përdorën qen të trajnuar për kërkim-shpëtim, pajisje për zbulimin e rrahjeve të zemrës dhe makineri të rënda për të kontrolluar rrënojat.
Autoritetet thanë se viktima e konfirmuar ishte një shtetas malajzian 65-vjeçar, trupi i të cilit u gjet në një ndërtesë ngjitur – një hotel – që ishte dëmtuar gjithashtu nga shembja.
Maria Leah Sajili, zëdhënëse e Byrosë Rajonale të Mbrojtjes nga Zjarri, deklaroi në një konferencë për shtyp se nga 21 personat e raportuar të zhdukur, pesë janë konfirmuar se ndodhen të bllokuar nën rrënoja.
Dy prej tyre po komunikonin me ekipet e shpëtimit, ndërsa gjendja e tre të tjerëve nuk ishte menjëherë e qartë.
Operacionet e shpëtimit po vazhdojnë, por Sajili paralajmëroi se ndërhyrja do të bëhet më e vështirë pas rënies së errësirës.
Sipas zyrtarëve, dokumentet e lejes së ndërtimit tregojnë se godina ishte planifikuar si një condo-hotel me nëntë kate, por në katin e dhjetë po ndërtohej një pishinë, pavarësisht se ajo nuk ishte pjesë e projektit të miratuar, shkruan Reuters.