Irani ka pranuar në parim një propozim që parashikon eliminimin e uraniumit të pasuruar në nivele të larta, deklaroi një zyrtar i lartë i administratës amerikane gjatë një informimi për mediat në Uashington.
Sipas zyrtarit amerikan, ende po punohet për finalizimin e marrëveshjes, por ekziston një “angazhim i gjerë” mbi parimet bazë të dokumenteve që po negociohen, përcjell JP.
Marrëveshja përfundimtare mund të përfshijë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, në këmbim të heqjes së bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.
Mediat amerikane raportojnë gjithashtu se marrëveshja do të parashikojë lehtësim të sanksioneve ndaj Teheranit, në këmbim të kufizimeve iraniane mbi pasurimin bërthamor.
“Ka një angazhim të gjerë mbi parimet e dokumenteve dhe ekipi i Trump ndihet pozitiv për ecurinë e negociatave”, tha zyrtari amerikan.
Nga ana tjetër, agjencia iraniane Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike, raportoi se negociatat ende mund të dështojnë.
Sipas saj, SHBA vazhdon të bllokojë disa pika të marrëveshjes, përfshirë lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit.
“Irani ka theksuar se nuk do të tërhiqet nga vijat e kuqe për realizimin e të drejtave të popullit”, deklaroi Tasnim.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u thanë gazetarëve se nuk presin që marrëveshja të finalizohet menjëherë dhe besojnë se udhëheqësi suprem iranian, Mojtaba Khamenei, do të marrë disa ditë për të miratuar çdo marrëveshje.
Sipas raportimeve, memorandumi i mirëkuptimit, i quajtur “Deklarata e Islamabadit”, parashikon zgjatjen me 60 ditë të armëpushimit aktual, si dhe mundësinë e negociatave të mëtejshme gjatë kësaj periudhe.
Nëse dokumenti miratohet nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iran, ai do t’i dërgohet Khameneit për miratimin përfundimtar.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në Truth Social se i ka udhëzuar negociatorët amerikanë të mos nxitojnë drejt një marrëveshjeje.
“Negociatat po ecin në mënyrë të rregullt dhe konstruktive dhe u kam kërkuar përfaqësuesve të mi të mos nxitojnë, sepse koha është në anën tonë. Bllokada do të mbetet plotësisht në fuqi derisa marrëveshja të arrihet, certifikohet dhe nënshkruhet”, shkroi Trump.
“Të dyja palët duhet të marrin kohën e nevojshme dhe ta bëjnë siç duhet. Nuk mund të ketë gabime”, shtoi ai.
