Vendosni fjalën kyçe....

Rubio: Është bërë progres i rëndësishëm në bisedimet me Iranin


Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se është bërë “progres i rëndësishëm” në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa sinjalizoi se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të bëjë një njoftim të rëndësishëm gjatë ditës.

Megjithatë, Rubio theksoi se ende “ka punë për t’u bërë” për arritjen e një marrëveshjeje finale.

Deklarata vjen pasi Trump tha të shtunën se një marrëveshje me Iranin është “kryesisht e negociuar”, ndërsa nga Teherani dhe Uashingtoni po dalin gjithnjë e më shumë detaje mbi draftin e mundshëm të dakordësisë.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, paralajmëroi se afrimi i qëndrimeve gjatë javës së fundit nuk do të thotë automatikisht se palët kanë arritur marrëveshje për çështjet kryesore, përcjell BBC.

Sipas raportimeve, marrëveshja potenciale mund të përfshijë një zgjatje 60-ditore të armëpushimit mes palëve, si edhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, korridorit strategjik detar për transportin global të naftës dhe gazit.

Negociatat aktuale nisën pas marrëveshjes fillestare për një armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, i cili më pas u zgjat për të krijuar hapësirë për bisedime diplomatike.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm. Çdo marrëveshje për rihapjen dhe garantimin e sigurisë në këtë zonë shihet si vendimtare për stabilitetin ekonomik dhe energjetik ndërkombëtar.

Ndërkohë, mbeten ende të paqarta çështjet më të ndjeshme të negociatave, përfshirë programin bërthamor iranian, stokun e uraniumit të pasuruar dhe rolin e Iranit në rajon.