Vendosni fjalën kyçe....

Kontroll në burgun e Fierit, gjenden 10 celularë, alkool e drogë


10 telefona celularë me karikuesit, bidona me pije alkoolike e lëndë e dyshuar narkotike është gjetur gjatë kontrolleve në burgun e Fierit.

Në burgjet e vendit janë zhvilluar dhjetëra kontrolle ditët e fundit, ku jaë zbuluar sende e lëndë të ndaluara.

Njoftimi i Drejtorise së Burgjeve

“Vijojnë kontrollet në IEVP Fier. Nga informacioni i marrë në mënyrë operative nga Drejtoria e Analizës dhe Vlerësimit të Riskut në DPB, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, kontrollet për forcimin e masave të sigurisë dhe parandalimin e futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara kanë vijuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier.

Në kuadër të këtyre masave, Forcat Operacionale të DPB-së kanë ushtruar kontroll në ambientet e institucionit, ku në pjesën e jashtme pranë Godinës “A” janë konstatuar dhe sekuestruar: 10 telefona celularë, 10 karikues telefonash, bidona të dyshuar me përmbajtje alkoolike, si dhe lëndë e dyshuar narkotike e gjetur në dy vende të ndryshme.

Për rastin janë hartuar raportet përkatëse të incidentit dhe procesverbalet e bllokimit, ndërsa është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për ndjekjen e procedurave të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë një kontrolli të kryer nga strukturat e vetë IEVP Fier, të dënuarit A.M., gjatë verifikimit në skaner, iu konstatuan pesë qese të vogla të dyshuara me lëndë narkotike, të fshehura në pjesën e poshtme të një bluzeje. Pas konstatimit, janë njoftuar drejtuesit e institucionit dhe specialistët e Agjencisë, ndërsa i dënuari është shoqëruar në veçim.”