Vendosni fjalën kyçe....

Kina nis misionin e saj një vjeçar në hapësirë, ndërsa synon uljen në Hënë në 2030-ën


Kina dërgoi të dielën tre astronautë drejt stacionit të saj hapësinor Tiangong space station, në një mision historik ku një prej tyre do të qëndrojë në hapësirë për një vit të plotë, rekordi më i gjatë i arritur ndonjëherë nga programi hapësinor kinez.

Anija kozmike Shenzhou-23 u lëshua nga Qendra Satelitore e Jiuquan në veriperëndim të Kinës, me raketën Long March-2F Y23.

Në bord ndodhen komandanti Zhu Yangzhu, piloti Zhang Yuanzhi dhe Li Jiaying, ish-inspektor policie nga Hong Kongu, i cili bëhet astronauti i parë nga qyteti autonom që merr pjesë në një mision hapësinor kinez.

Agjencia Hapësinore e Kinës bëri të ditur se një nga tre astronautët do të qëndrojë për një vit në stacionin Tiangong, për të studiuar efektet afatgjata të qëndrimit në hapësirë mbi organizmin e njeriut.

Misioni vjen në një moment kur gara hapësinore mes Kinës dhe SHBA-së po intensifikohet, me të dyja vendet që synojnë uljen e astronautëve në Hënë brenda kësaj dekade.

Shtetet e Bashkuara synojnë një mision me astronautë në Hënë në vitin 2028 përmes programit Artemis të NASA, ndërsa Kina ka vendosur si objektiv vitin 2030.

Në prill, katër astronautë të NASA-s realizuan një fluturim historik rreth Hënës në kuadër të misionit Artemis II, ndërsa kompania SpaceX e Elon Musk kreu së fundmi një test të ri të raketës Starship, e projektuar për misione të ardhshme drejt Hënës dhe Marsit.

Nga ana tjetër, Kina po përpiqet të zhvillojë teknologjinë e nevojshme për uljen e astronautëve në sipërfaqen hënore dhe për krijimin e një baze të përhershme në Hënë deri në vitin 2035, në bashkëpunim me Rusinë.

“Shenzhou-23” është misioni i parë kinez me kohëzgjatje njëvjeçare dhe konsiderohet një hap kyç për përgatitjen e astronautëve për misione më të gjata dhe më të rrezikshme përtej orbitës së Tokës.

Kina ka realizuar gati një duzinë misionesh me astronautë drejt stacionit Tiangong që prej vitit 2021. Në qershor 2024, ajo u bë gjithashtu vendi i parë që solli mostra nga ana e errët e Hënës përmes një misioni robotik.