Ministri i MinistriSË SË Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Besfort Lamallari, deklaroi në seancë plenare se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, duke theksuar se procesi i integrimit europian po shoqërohet me reforma konkrete dhe rezultate të matshme.
Sipas Lamallarit, vendi ka avancuar ndjeshëm në luftën kundër krimit të organizuar, kontrollin e kufijve dhe përafrimin me standardet e Bashkimi Europian.
“Procesi i integrimit europian të Shqipërisë nuk është më vetëm një objektiv politik, por një proces konkret transformimi të shtetit, të shoqërisë shqiptare dhe të standardeve të sigurisë”, deklaroi ministri.
Ai bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë miratuar 15 ligje dhe vendime të Këshillit të Ministrave, si dhe një sërë udhëzimesh e reformash në funksion të përmbushjes së detyrimeve europiane.
Lamallari theksoi se ndryshimet në Kodin Penal kanë forcuar luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, pastrimit të parave, trafikimit të drogës dhe krimeve seksuale ndaj fëmijëve në internet.
“Është ngritur dhe institucionalizuar Zyra e Rikuperimit të Aseteve, përgjegjëse për gjurmimin dhe identifikimin e pasurive me origjinë kriminale”, tha ai.
Ministri nënvizoi gjithashtu se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt standardeve të Zona Shengen, përmes ligjeve të reja për kontrollin kufitar, sistemin API/PNR dhe strategjisë kombëtare të migracionit 2024–2030.
Një nga zhvillimet që ai e cilësoi të rëndësishëm ishte ngritja e një strukture të re për të miturit migrantë.
“Do të theksoja një strukturë të re, e cila ngrihet për herë të parë në Shqipëri, Qendra për të Miturit e Pashoqëruar, në përmbushje të detyrimeve dhe angazhimeve të marra karshi Komisionit Europian”, deklaroi Lamallari.
Në fund të fjalës së tij, ministri tha se progresi i Shqipërisë po njihet dhe vlerësohet nga institucionet europiane.
“Shqipëria sot nuk po ecën vetëm me premtime apo slogane, por me rezultate konkrete, të dokumentuara dhe të vlerësuara nga vetë Komisioni Europian dhe vendet anëtare të BE-së”, u shpreh ai.
