
Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetin social “X” ndaj akuzave të kreut të PD-së, Sali Berisha, për rënie të integritetit në prokurimet publike.
Rama deklaroi se Shqipëria është përfshirë për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për vendet e Bashkimi Europian dhe, sipas tij, rezulton më mirë se shumë shtete anëtare.
“Hedh budallai i madh një gur në lumë dhe pastaj të vegjëlit bëjnë si të mençur për ta nxjerrë, duke thënë që integriteti i prokurimeve publike në Shqipëri paska shënuar rënie!
Po se si e shënoi këtë rënie, kur në fakt Shqipëria u përfshi për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europian, duke dalë më mirë se sa shumë prej tyre, këtë as i madhi e as të vegjlit nuk kanë se si e thonë, sepse budallallëku ka kufi vetëm vetveten.
Rëndësi ka që duan s’duan ata që s’duan, sot Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, edhe në fushën e prokurimeve, ku kemi bërë progres të madh dhe jemi ende në ngjitje, sepse me Diellën në prokurimet publike do të arrijmë brenda këtij mandati, një nivel integriteti e shpejtësie që do të na rendisë në nivelin më të lartë europian, falë Inteligjencës Artificiale”, shkruan Rama.