Vendosni fjalën kyçe....

Rezoluta e PE për Shqipërinë, ministri Hoxha takohet me Schieder: Mesazh i fortë për anëtarësimin


Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim zyrtar në Bruksel me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.

Ky takim vjen fill pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë nga Komisioni i Jashtëm i PE-së, një hap që konsiderohet si një certifikim i rëndësishëm i progresit të vendit në rrugën drejt integrimit.

Hoxha vlerësoi lart mbështetjen e eurodeputetëve, duke theksuar se kjo rezolutë shërben si një nxitje për të vijuar me reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian.

“Miratimi i rezolutës përcjell një mesazh të fortë dhe inkurajues në mbështetje të rrugës sonë drejt anëtarësimit evropian. Biseduam për ecurinë e procesit të negociatave dhe rëndësinë e vijimësisë së reformave,” u shpreh ministri pas takimit.

Gjatë bisedës me Schieder, u vu theksi te domosdoshmëria e konsolidimit të arritjeve dhe roli kyç që luan Parlamenti Europian në mbështetje të politikës së zgjerimit.

“Shqipëria e vlerëson shumë rolin e rëndësishëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të europarlamentarëve dhe të gjithë miqve të zgjerimit, të cilët besojnë në një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe të orientuar drejt së ardhmes.”

Ky aktivitet diplomatik në Bruksel vjen në një kohë kur brenda vendit politika është e përfshirë në debate të ashpra, por për qeverinë, sinjalet nga PE mbeten prioritet për axhendën europiane.