Vendosni fjalën kyçe....

Dosja “Meta-Kryemadhi”, Monika flet për kondicionerin që pikon dhe “kostumin e gabuar” të Metës


Pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Posaçme, Monika Kryemadhi ka dhënë një deklaratë  për mediat, ku ndërthuri mbrojtjen juridike me ironinë ndaj kushteve të sallës së re të gjyqit dhe situatës fizike të Ilir Metës.

Kryemadhi prerë tha se i gjithë hetimi është një hakmarrje politike.

“Gjyqi mes meje, Ilir Metës dhe drejtësisë së re është një gjyq politik. Ne që kemi qenë edhe shkaktarët e Reformës në Drejtësi, po paguajmë ato faturat tona. I vetmi tension në sallë ishte që filloi të na pikonte kondicioneri i ri mbi kokë. Ishin bllokuar tubat.”

E pyetur për gjendjen e ish-bashkëshortit të saj në qeli, Kryemadhi shpjegoi me humor arsyen pse ai u duk i dobësuar në daljen e fundit:

“Ilir Meta është top formë. I kishin çuar kostumin e gabuar javës së kaluar, masë 56, kur duhet t’ia çonin 52-53. Ai duket i dobët prej kostumit të madh, por unë jam si të verbërit vëlla, që me dorë e njoh Ilir Metën. Në posturë është drejt.”

Lidhur me akuzat për korrupsion dhe shpenzimet e padeklaruara, Kryemadhi u përpoq të nxirrte jashtë përgjegjësisë Metën, duke e cilësuar atë si një “burrë shteti” që nuk merrej me financat e familjes:

“Ilir Meta, për fatin e tij të mirë, duke qenë burrë shteti, nuk është marrë kurrë me gjërat e shtëpisë, s’është pjesë e asnjë lloj shpenzimi. Fati i tij i keq është që për hir të politikës ka kaluar shumë pak kohë me fëmijët e tij. Iu bëj thirrje prindërve të rinj: kujdesuni për fëmijët, se hallet e politikanëve s’kanë për të përfunduar kurrë.”

Në fund, ajo hodhi poshtë çdo pretendim për abuzim nga ana e nënës së saj apo shoqes së saj, Ema Çoku, duke insistuar se çdo shpenzim shëndetësor ka qenë i deklaruar dhe se hetimi pasuror ndaj tyre nuk ka asnjë bazë ligjore.