Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, zhvilloi një takim me kryetarë bashkish nga Austria, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit dhe përgatitja e institucioneve vendore për procesin e integrimit europian.
Gjatë fjalës së tij, Demo theksoi se programet e Bashkimit Europian janë të mëdha dhe kërkojnë kapacitete të konsoliduara nga ana e pushtetit vendor, në mënyrë që Shqipëria të përfitojë maksimalisht prej tyre.
“Programet e BE janë të mëdha. Objektivi ynë është që të jemi në BE deri në vitin 2030. Është me rëndësi që bashkitë të bëjnë një punë të mirë për t’u përballur me sfidat që do kenë përpara,” u shpreh ai.
Ministri vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e ngritjes së institucioneve të duhura dhe rritjes së kapaciteteve administrative në nivel vendor, duke përmendur edhe krijimin e një akademie të re me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht atyre suedezë.
Në fjalën e tij, Demo u ndal edhe te reforma territoriale ndër vite, duke theksuar ndryshimet në strukturën e qeverisjes vendore në Shqipëri.
“Kur flasim për reformën territoriale, Shqipëria ka kaluar në struktura të ndryshme të qeverisjes lokale. Ishim 26 bashki, më pas 31 dhe në vitin 2014 ky numër shkoi në 61,” tha ai.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm në drejtim të shkëmbimit të përvojave dhe përgatitjes së pushtetit vendor shqiptar për sfidat që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
