Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se armëpushimi mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit “nuk ka përfunduar”, edhe pse të dyja palët kanë ndërmarrë sulme në Ngushticën e Hormuzit gjatë ditës së hënë.
Në një deklaratë publike, Hegseth akuzoi Teheranin për përpjekje për “shantazh ndërkombëtar” në këtë korridor jetik detar, duke theksuar se operacioni amerikan i quajtur “Project Freedom” synon t’i japë fund kësaj situate, përcjell BBC.
“Armëpushimi nuk ka përfunduar. Irani po përpiqet të ushtrojë presion përmes kësaj ngushtice, por kjo do të marrë fund,” u shpreh ai.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një lloj “mburoje” mbi Ngushticën e Hormuzit, duke garantuar kalimin e sigurt të anijeve. Ai përmendi si provë kalimin e dy anijeve tregtare amerikane gjatë së hënës, duke e cilësuar rrugën detare si “të hapur”.
Nga ana tjetër, tensionet mbeten të larta. Një negociator i lartë iranian paralajmëroi se veprimet e Teheranit “janë vetëm fillimi”, ndërsa autoritetet amerikane raportojnë për sulme me raketa dhe dronë ndaj anijeve ushtarake dhe tregtare në zonë.
Programi “Project Freedom”, i promovuar nga presidenti Donald Trump, synon përdorimin e forcave detare amerikane për të shoqëruar dhe nxjerrë nga zona anijet e bllokuara në Gjirin Persik.
Sipas kreut të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë amerikane, gjeneralit Dan Caine, aktualisht rreth 22,500 marinarë në më shumë se 1,500 anije tregtare mbeten të bllokuar në rajon, për shkak të situatës së sigurisë.
Ndërkohë, Irani këmbëngul se ka kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës, duke e bërë situatën një nga pikat më të nxehta të krizës aktuale energjetike dhe ushtarake.
