Vendosni fjalën kyçe....

Replika mes Ramës dhe “Reporterëve pa Kufij” për lirinë e medias në Shqipëri


Kryeministri Edi Rama ka replikuar publikisht me organizatën Reporterët pa Kufij lidhur me vlerësimin e lirisë së medias në Shqipëri, pas publikimit të raportit të fundit që e rendit vendin në vendin e 83-të, me rënie nga një vit më parë.

Debati nisi pasi Rama publikoi një raport të SIGMA-OECD, ku Agjencia për Media dhe Informim (MIA) vlerësohej për shërbim cilësor ndaj mediave dhe publikut. Në përgjigje, organizata ndërkombëtare sqaroi se metodologjia e saj nuk lidhet me komunikimin e qeverisë.

“Ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë. Renditja e Shqipërisë në vendin e 83-të (-3) në Indeksin e vitit 2026 pasqyron sulme politike, abuzim me zbatimin e ligjit, transparencë të ulët të medias dhe kërcënime ndaj gazetarëve. Ka një rrugë përpara…”, thuhet në reagimin e Reporterëve pa Kufij.

Nga ana tjetër, Rama kundërshtoi vlerësimin, duke theksuar se ekzistojnë dallime të dukshme mes raporteve të organizatave të ndryshme dhe duke sugjeruar një analizë më të gjerë të tyre.

“Nuk thashë kurrë që ju e matni komunikimin qeveritar, por tani që e përmendni, po mendoj: a nuk është ndoshta një ide e mirë që të lexoni raportet e atyre që e bëjnë vërtet, dhe ta bëni këtë në mënyrë profesionale dhe objektive? Mund t’ju ndihmojë, sepse dalin kontradikta të rëndësishme midis vlerësimeve tuaja dhe të tyreve kur bëhet fjalë për marrëdhënien midis qeverisë, medias dhe publikut në një vend të lirë si Shqipëria, ku, ndryshe nga ajo që pretenduat dikur, dhe më shumë se një herë, Agjencia e Informacionit për Median duket se ka qenë një ide shumë e mirë në shërbim të lirisë së informacionit. Kaq është gjithçka”, shkruan Rama.

Kryeministri shton se Agjencia për Media dhe Informim është një instrument në shërbim të lirisë së informacionit dhe e konsideron raportin e organizatës si jo plotësisht të saktë.

Debati mes qeverisë dhe organizatës ndërkombëtare nxjerr në pah dallimet në mënyrën se si vlerësohet liria e medias dhe raporti mes institucioneve publike dhe mediave në vend.