Vendosni fjalën kyçe....

90 operacione, 571 të arrestuar, policia bën bilancin  e prillit


571 persona janë arrestuar në 90 operacione policore gjatë muajit prill. Ky është bilanci zyrtar i zbardhur nga policia. Sipas të dhënave zyrtare, 13 prej operacioneve të kryera gjatë prillit kanë pasur synim kapjen dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë prillit janë zbardhur 14 ngjarje kriminale dhe janë parandaluar 17 të tjera, ndërsa janë sekuestruar dhjetëra armë dhe materiale të rrezikshme, përfshirë 33 armë zjarri, granata, silenciatorë dhe lëndë eksplozive.

Në luftën kundër narkotikëve, policia ka sekuestruar rreth 10 kg kanabis, mbi 2000 fara kanabisi, 1.5 kg kokainë dhe tableta MDMA, si dhe ka asgjësuar një numër të konsiderueshëm fidanësh narkotikë. Paralelisht, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kanë goditur 15 raste që përfshijnë mashtrim kompjuterik, kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh.

Janë finalizuar gjithashtu 13 operacione për zbardhjen e vjedhjeve dhe 12 operacione kundër shfrytëzimit për prostitucion, si dhe 2 operacione për goditjen e transportit të paligjshëm të emigrantëve drejt vendeve të BE-së. Në fokus ka qenë edhe lufta ndaj lojërave të fatit, ku janë zbuluar 23 ambiente të paligjshme, ndërsa janë goditur 156 raste të ndërtimeve pa leje dhe 3 raste të ndotjes së ajrit.

304 drejtues mjetesh janë arrestuar gjatë prillit, nga të cilët 170 për drejtim në gjendje të dehur dhe 134 pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë vendosur 93.645 gjoba.Policia Kufitare ka evidentuar 40 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 5 raste me dokumente false dhe 13 raste të trafiqeve të paligjshme.