
Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Nikël–Larushkë, ku ka humbur jetën një grua.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi punonjësin e policisë, efektiv pranë Komisariatit të Policisë Krujë, i cili drejtonte mjetin në momentin e aksidentit. Ai dyshohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Njoftimi:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë E. B., me detyrë Trupë shërbimi / Patrullë e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Krujë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal.
Arrestimi i tij u krye pasi ditën e sotme rreth orës 05:45, duke drejtuar mjetin e tij në aksin Nikël – Larushkë, është përfshirë në një aksident rrugor, ku si pasojë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes shtetësja N. Ç.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Tiranë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.
Për ankesa me Whatsapp 0694151511 Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.