Vendosni fjalën kyçe....

Akuzë ndaj ministres Hajdari në Kosovë, Albin Kurti thirret si dëshmitar


Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë së Industrisë Rozeta Hajdari dhe tre personave të tjerë, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit në lidhje me rastin e kontraktimit të rezervave shtetërore të mallrave gjatë vitit 2022. Ata akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit rreth 3 milionë euro.

Sipas prokurorisë personat e akuzuar gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Kosovës, shkruan Koha.

“Të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M”, thuhet në njoftim.

Ministrja Hajdari përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se është informuar nga avokati i saj për dorëzimin e aktakuzës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Sapo u njoftova nga avokati im për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne”, ka shkruar Hajdari.

Hajdari mbrojti punën e saj gjatë periudhës së menaxhimit të rezervave shtetërore, duke e quajtur atë “kohën më të vështirë” për vendin, kur duhej siguruar furnizimi me produkte bazë.

“Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”, ka shkruar tutje ajo.

Hajdari ishte intervistuar për rastin e rezervave shtetërore në prill të vitit 2024 dhe korrik të vitit 2025, por në të dyja rastet ishte mbrojtur në heshtje.

Si dëshmitar për këtë rast është ftuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani ai ka refuzuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, por ka insistuar që të japë dëshminë në kryeministri.