Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Veliaj u nxor nga burgu në mesnatë dhe u zhduk në drejtim të paditur



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve shtetërore, duke pretenduar për një episod që lidhet me ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim.

Në një deklaratë për mediat këtë të enjte, Berisha tha se ka informacione jozyrtare dhe zëra që sugjerojnë se Veliaj është nxjerrë nga burgu në orët e vona të natës dhe është zhdukur “në drejtim të paditur”.

“Kanë qarkulluar shumë gossipe, se burgu ka lajme dhe gossipe. Njëri prej tyre është se para 3 netësh e nxorën nga burgu dhe e çuan në drejtim të paditur. Sa është e vërtetë, muret e burgut e dinë. Por gossipi i asaj ndërtese këtë thotë,” u shpreh Berisha.

Sipas tij, ky veprim përbën një sinjal alarmi dhe një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj Ramës, duke lënë të nënkuptohet se mund të bëhet fjalë për një skenar për eliminimin politik – apo edhe më shumë – të Veliajt.

“Edi Rama do që ta shohë me çdo kusht të asgjësuar politikisht, të paktën. Por ndoshta edhe për atë tjetrën. Ta nxjerrësh tjetrin në 12 të natës, të kalamendur, dhe ta nisësh në drejtim të paditur, kjo absolutisht është një aktakuzë direkte për Ramën. Ku e çoi atë?” tha Berisha.

Berisha vuri në pikëpyetje gjithashtu edhe ligjshmërinë e këtij veprimi, duke aluduar për ndërhyrje të paligjshme të Ministrisë së Drejtësisë.

“Mori autorizim apo jo, apo përdori vetëm papagallin e Ulziut, Lamallarin, për të urdhëruar nxjerrjen e tij në 11 të natës, këtë nuk e dimë,” u shpreh ai, duke iu referuar ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Për momentin, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga autoritetet për akuzat e ngritura nga lideri i opozitës.