
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar sot një operacion në fshatin Rimanisht të Komunës së Prishtinës, ku janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë edhe shtetas nga Shqipëria.
Të arrestuarit dyshohen për veprat penale të “Prodhimit dhe përpunimit të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope, analoge, apo mjeteve dhe materialeve narkotike” sipas nenit 268 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Mbajtjes së paautorizuar të armëve në pronësi, kontroll apo posedim” bazuar në nenin 366 të Kodit Penal.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme narkotikësh, armë zjarri dhe prova të tjera materiale, të cilat do të përdoren në vazhdim të hetimeve.
Prokurori i shtetit, bashkë me Policinë e Kosovës, kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes për të ndjekur nga afër zhvillimet.
Personat e dyshuar janë ndaluar dhe ndaj tyre pritet që të kërkohet masa e paraburgimit brenda afateve ligjore. Prokuroria thekson përkushtimin e saj në luftën kundër veprave penale që rrezikojnë rendin dhe sigurinë publike.