
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, gjatë së cilës kanë diskutuar përpjekjet e përbashkëta diplomatike dhe planet për mbajtjen e një takimi të “Koalicionit të të Gatshmëve” në Romë “brenda disa ditësh”.
“Ne po punojmë për t’u siguruar që vendimet që do të merren të jenë sa më të fuqishme,” tha Zelensky, përcjell The Guardian.
Në një përditësim në llogaritë e tij në Telegram dhe X, presidenti ukrainas bëri të ditur se Starmer shprehu gjithashtu ngushëllimet e tij për viktimat e sulmeve të vazhdueshme ruse në Ukrainë, teksa të dy diskutuan çfarë tjetër mund të bëhet për të mbështetur Ukrainën.
“Diskutuam gjithashtu financimin shtesë që do të jepet këtë muaj për prodhimin vendas të dronëve në Ukrainë, kryesisht dronë interceptorë,” theksoi ai.
Zelensky shtoi se të dy liderët “ranë dakord të punojnë për forcimin e formateve të tjera të bashkëpunimit me partnerët kyç, në veçanti formatin Ramstein,” duke u fokusuar në mbrojtjen e jetëve të ukrainasve nga sulmet e vazhdueshme të Rusisë.