Vendosni fjalën kyçe....

Ministri izraelit i Mbrojtjes thotë se vazhdimi i luftës në territoret e pakontrolluara në Gaza rrezikon pengjet izraelite


Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të hënën se vazhdimi i ofensivës ushtarake në 25% të territorit të Gazës që ende nuk kontrollohet nga Izraeli do të rrezikonte jetën e pengjeve izraelite që ndodhen ende në duart e Hamasit, përcjell Jerusalem Post.

Kjo përfaqëson një ndryshim të dukshëm në qëndrimin zyrtar të qeverisë izraelite, pasi deri tani linja e mbajtur nga kryeministri Netanyahu dhe vetë Katz ka qenë se presioni ushtarak ndihmon në lirimin e pengjeve. Ministri i Mbrojtjes është tani në një linjë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të IDF, gjeneralin Eyal Zamir, i cili po shtyn për përmbylljen e fazës aktive të luftës.

Deklaratat e Katz bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ato të ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili vetëm të shtunën bëri thirrje për “pushtimin e plotë të Rripit të Gazës” dhe ndalimin e çdo ndihme humanitare. Ai deklaroi se “fitorja e vërtetë dhe kthimi i sigurt i pengjeve mund të ndodhin vetëm nëse Gazës i jepet goditja përfundimtare dhe i ndërpritet çdo ndihmë.”